Ballina Lajme nga Maqedonia Methju Karuana Galicia: Mësoni nga Malta sepse askush nuk do të luftojë...

Methju Karuana Galicia: Mësoni nga Malta sepse askush nuk do të luftojë kundër pushtetit të korruptuar më mirë se ju

11
0
  1. Emri i gazetarit Dafne Karuana Galicia nga Malta u bë, për fat të keq, i njohur ndërkombëtarisht pasi ajo vdiq në atentat me bombë të vendosur në makinën e saj në vitin 2018. Galicia si gazetare kishte hulumtuar dhe publikuar informacione për më shumë skandale shumëmilionëshe të ryshfetit dhe korrupsionit dhe për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë aktuale të kryeministrit aktual Xhozef Muskat. Këto ditë në Shkup biseduam me djalin e saj, Methju Karuana Galicia, i cili gjithashtu është gazetar hulumtues (investigative) i cili punon në zbulimin e korrupsionit në nivel ndërkombëtar, punë për të cilën në vitin 2017 e mori edhe çmimin Pulicer, njofton META, transmeton Portalb.mk.

Nëna juaj u vra me bombë të vendosur në makinën e saj një vit më parë, pasi kishte punuar për vite me radhë në raste të korrupsionit në qarqet e larta të Maltës. A ka ndonjë rezultat ligjor për këtë vrasje të gazetares e cila ka luftuar për të vërtetën dhe drejtësinë?

– S’ka zgjidhje gjyqësore. Tre të pandehur u arrestuan për vënien e bombës në makinën e nënës sime, por ata ishin vetëm realizues të drejtpërdrejtë. Gjykimi i tyre shtyhet vazhdimisht dhe pas skadimit të afatit të gjykimit është shumë e mundur që ata të lirohen duke paguar garanci. Policia ka konfirmuar se ka pasur edhe njerëz tjerë të përfshirë në organizimin e vrasjes, por pastaj nuk u bë asgjë për t’i gjetur dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë. Qeveria e Maltës dëshiron që vrasja e nënës sime thjesht të zhduket duke krijuar vazhdimisht përshtypje se vrasja është ndriçuar dhe rasti është i mbyllur, por familja ime kërkon me vendosmëri hetim për tërë zinxhirin e komandës për të ardhur deri te nivelet më të larta të krimit dhe korrupsionit në të cilin janë përfshirë njerëz nga Qeveria, për të cilët nëna ime kishte hulumtuar dhe publikuar provat dhe kështu do të arrijmë deri ta ata që kanë porositur vrasjen. Qëndrimi i Prokurorit kryesor të Maltës është se ata janë duke pritur prova të reja, por është e qartë se në hetim nuk përdoren provat që nëna ime i zbuloi para se të vritet.

Derisa në momentin e vrasjes së Dafne Karuana Galicia bota e dinte Maltën si destinacion idilik turistik, por ky ishulli mesdhetar paska pasur edhe anën e errët – biznes kriminal shumëmilionësh që ndërlidhet me emra të zyrtarëve të lartë, pastrim të parave të mafies, vrasje, kërcënime. Çfarë ka ndërmarrë BE-ja deri tani për t’u marrë me situatën serioze me të cilën përballet ky shtet anëtar?

– BE-ja pranoi Malta është duke u përballur me probleme të mëdha në rend të parë me korrupsion jashtëzakonisht të madh të pushtetit, por ajo që po ndodh në Maltë gjatë pesë viteve të fundit është që qeveria filloi t’i nënshtrohet ryshfetit dhe korrupsionit që po vijnë jo vetëm nga vendet e Bashkimit Evropian, por jashtë nga ajo. Zëvendëskryetari i KE Hans Timermans pat deklaruar se do të kërkojnë nga Qeveria e Maltës për përballet me këtë problem, por pastaj me sa duket ka harruar atë që kishte thënë sepse gjatë vizitës së fundit në Maltë në maj, gjatë fushatës zgjedhore, në emër të partisë së tij para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, nga foltorja tha që Malta është sot në gjendje shumë më të mirë sa i përket korrupsion se më parë, edhe pse ai është i vetëdijshëm që rreth kryeministrit të Maltës ende janë të ulur zyrtarët e lartë të korruptuar. Për njerëzit si unë dhe familja ime, të cilët po luftojnë kundër korrupsionit të lartë sot në Maltë, jo për shkak se i përkasin një strukture të veçantë politike, por për shkak se e duan vendin e tyre, kjo ishte një shuplakë e veçantë. Ishte mësim i vështirë që tregonte se për figurat politike të KE-së fuqia politike është më e rëndësishme se drejtësia dhe demokracia. Shihni, Komisioni publikon raporte periodike në të cilat e inkurajon qeverinë e Maltës për të bërë më shumë në luftën kundër korrupsionit, por pastaj s’ka mbështetje konkrete në përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin, ndërsa ne kemi shumë nevojë për atë mbështetje. Qëndrimi parimor në relacionin e KE-së për problemet e Maltës do të kishin rëndësi të madhe jo vetëm për vendin tim, por edhe për kredibilitetin e Komisionit, kur bëhet fjalë për çështje të tjera “madhore” siç janë marrëdhëniet me Rusinë, situatën në lidhje me Arabinë Saudite apo me Kinën.

Është e vështirë të imagjinohet që në një vend të BE-së korrupsioni mund të përparojë në vend se të jetë e kundërta …

– Qëndrimi i KE-së në Maltë është një mësim i rëndësishëm për vendet e Ballkanit, si Maqedonia, Serbia dhe të tjerët, sepse kjo tregon që lufta kundër korrupsionit në vendet e tyre duhet të mbështetet kryesisht në forcat e brendshme, duke ndërtuar mekanizma të kontrollit sepse pas hyrjes në BE gjërat do të bëhen më të vështira. 15 vjet më parë, kur u bashkuan me BE, mendonim se me atë i zgjidhnim të gjitha problemet tona dhe se do të bëheshim si Suedia apo Danimarka, e jo se do të arrijmë këtë nivel të korrupsionit që s’ka qenë i njohur ndonjëherë më parë në Maltë. Duhet të analizohet seriozisht se si Malta nga një demokraci në lulëzim e sipër u bë vend me korrupsion endemik. Nëse nuk më besoni, hidhni një sy në dokumentet dhe sondazhet në dispozicion të publikut që tregojnë se Malta është bërë një vend në të cilin treguesit demokratikë kanë rënë në mënyrë drastike brenda BE-së. Dua të theksoj që unë dhe nëna ime e ndjerë jemi pro-BE-së, për dallim nga Kryeministri aktual i Maltës Xhozef Muskat, për shembull, i cili në cilësinë e tij si përgjegjës për propagandë politike të Partisë së tij punës ka realizuar fushata anti-BE përpara se Malta të bashkohej në BE. Prandaj edhe zhgënjimi ynë është aq i madh që KE nuk bëri mjaftueshëm për të iniciuar ndryshime në planin e luftës kundër korrupsionit në Maltë apo për të treguar se në të ardhmen do të bëjë çmos për të mbrojtur gazetarët të cilët botojnë të dhëna kundër korrupsionit duke ndërmarrë menjëherë masat e duhura.

Cilat raste korruptive i ka hulumtuar nëna juaj si gazetare?

Ekzistojnë dëshmi të forta për politikanët nga Qeveria e Maltës të cilët janë korruptuar nga ndërmjetës të autoriteteve të Azerbajxhanit. Malta edhe më parë ka pasur një nivel të korrupsionit në administratë, por korrupsion me këso përmasa ka qenë i panjohur në Maltë derisa në pushtet erdhi garnitura e qeverisë aktualke. Ky korrupsion i nivelit më të lartë u bë publik pas publikimit të dokumentet e Panamasë, të cilat kryesisht i ka publikuar nëna ime dhe ICIJ (Konsorciumit Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë) dhe Qeveria, në vend se të përpiqet të justifikonte veten, zgjodhi të luftojë me gazetarë si nëna ime, ose unë duke na burgosur, penguar dhe sabotuar hetimet policore, duke ndërruar rregullisht shefat e policisë, duke emëruar zyrtarë të lartë të partisë për gjyqtarët në gjykatat e Maltës. Ky ishte momenti kur për herë të parë e kishim kuptuar se gjërat po bëheshin serioze dhe të rrezikshme. Ne vazhdimisht botonim prova të forta të korrupsionit në ueb faqe publike, por s’kishte absolutisht kurrfarë rezultati.

A ka pas kërcënime familja juaj para se të ndodhte atentati ndaj nënës suaj?

Ndodhte që, mbështetësit dhe anëtarët e partisë në pushtet, të na sulmojnë fizikisht ose gojarisht në vende publike nënën time ose mua, ose të postojnë kërcënime në profilin tim privat në Fejsbuk, edhe atë jo anonime, por me emra të vërtetë, sepse ata ndiheshin të mbrojtur me vetë faktin që disa prej tyre ishin punonjës të policisë, ushtrisë ose zyrtarë të qeverisë. Policia zakonisht nuk ka vepruar kundër këtyre njerëzve, edhe pse ata dërgonin kërcënime nga më të tmerrshmet, por reagonte vetëm kur gazetarët publikonin fotografi në të cilat mund të shihej se kush dhe me çka na kërcënon.

A ka ndonjë nga rastet e provuara korruptive në Maltë, të cilat i ka botuar Dafne Karuna Galicia, që ka pasur ndonjë përfundim deri më sot?

Në muajt pas vrasjes së nënës sime, unë dhe vëllezërit e mi ishin të zënë me luftën për zgjidhjen ligjore të çështjes së atentatit të saj, por gjithsesi për ne është e rëndësishme se çka që do të ndodhë me rastet që ajo i ka hetuar si gazetare. Organizatat ekzistuese të gazetarëve deri tani nuk kanë pasur shumë mundësi për t’u marrë me raste të tilla. Një rast i ngjashëm është vrasja e gazetares bullgare Viktorija Marinova, për të cilën, edhe nëse ne e pranojmë që vrasja s’kishte të bënte me skandalet e korrupsionit që i kishte hulumtuar ajo pyetja është: kush do të vazhdojnë hetimet e rasteve që i kishte filluar ajo? Ajo nuk guxon të shuhet vetëm për shkak se ajo u vra. Prandaj u gëzova shumë kur një grup gazetarësh hulumtues nga Evropa dhe SHBA u mblodhën rreth projektit të quajtur “Dafne” dhe bënë diçka të paparë – vazhduan me hulumtimin e rasteve të cilat i kishte zbuluar ajo. Atyre kolegëve, shumica e të cilëve as e kanë njohur nënë time, unë u jam mirënjohës përgjithmonë. Ndër tjerash ata i zbuluan “dokumentet e Panamasë”, që tregojnë se në vitin 2013 ministri i atëhershëm i energjetikës Konrad Mici dhe shefi i kabinetit të kryeministrit, Kiç Kembri kishin themeluar off-shore kompani në Panama dhe ishin përpjekur për të hapur llogari në disa vende së shpejti pasi Malta ka nënshkruar një kontratë për furnizim të naftës me vlerë prej disa miliardë euro me kompaninë shtetërore të naftës nga Azerbajxhani dhe aty kanë pritur për të marrë pagesa në nivel vjetor nga kompania që ka qenë pjesë e marrëveshjes për naftën mes Maltës dhe Azerbajxhanit.

Si gazetar hulumtues, ju gjithashtu e morët çmimin Pulicer, si dhe mirënjohje tjera ndërkombëtare për hulumtimet tuaja.

– Asokohe punoja si pjesë e ekipit ndërkombëtar të ICIJ në storje rreth korrupsionit ndërkombëtar dhe hulumtim të lajmeve të rreme nëpër botë, por kam punuar me nënën time në hulumtimet e saj të korrupsionit në Maltë dhe isha, së bashku me të nën sulm të vazhdueshëm nga Qeveria Malteze. Gazetaria investigative është profesion i shtrenjtë, sepse kërkon shumë të holla për të arritur kudo dhe për të hetuar aty ku ka indikacione për storje në gazetari dhe ka ndodhur që me muaj s’kemi marrë paga as kemi mund të shkojmë në ceremonitë për ndarjen e çmimeve për shkak se thjesht s’kishim para për udhëtim. Tani, së bashku me vëllanë tim jemi të angazhuar rreth fondacionit që e mban emrin e nënës sime dhe jemi të përkushtuar për të kërkuar drejtësi për vdekjen e saj dhe për t’u ndihmuar gazetarëve të cilët hulumtojnë tema të rëndësishme që ndërlidhen me korrupsionin dhe krimin duke përdorur IT teknologjinë në favor të promovimit e demokracisë dhe drejtësisë.

Çfarë mesazhi do t’i dërgonin popullit të Ballkanit pas përvojës së tuaj të hidhur?

Mësoni nga rasti i Maltës. Gjithmonë duhet të luftoni për demokracinë tuaj, sepse ajo nuk është diçka që fitohet e pastaj mund të rehatoheni, por është një luftë e vazhdueshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu