Ballina Lajme nga Maqedonia Xhaferi – Stoltenberg: Me padurim do e mirëpres Maqedoninë e Veriut si...

Xhaferi – Stoltenberg: Me padurim do e mirëpres Maqedoninë e Veriut si anëtare të tridhjetë të Aleancës sonë

5
0

Me pritje solemne në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, dje u uroi mirëseardhje Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe Këshillit Veriatlantik të NATO-s që janë në vizitë dyditëshe të vendit. Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg e paraprin delegacionin prej 29 ambasadorëve të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, transmeton Portalb.mk.

Në pritjen që e organizoi Kryetari Xhaferi, ishin të pranishëm edhe Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, i cili e paraprinte delegacionin qeveritar, si edhe përfaqësues të korit diplomatik në vend.

Kryetari Xhaferi, në fjalën e tij përshëndetëse shprehu kënaqësi që është mikpritës i Këshillit Veriatlantik, që për shtetin tonë paraqet një lloj mirënjohjeje dhe konfirmimi se me meritë bëhemi anëtare e Aleancës NATO.

„Jemi të vetëdijshëm se anëtarësimi në NATO është kategori dinamike e cila sjell shumë përparësi dhe përfitime por, në të njëjtën kohë imponon edhe shumë obligime. Ruajtja e paqes dhe sigurisë në nivel global, ballafaqimi me të gjitha sfidat që e rrezikojnë paqen, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, demokracia parlamentare dhe sundimi i të drejtës, gjithë këto janë vlerat mbi të cilat bazohet Aleanca e NATO-s, që janë obligim i çdo vendi anëtar. Republika e Maqedonisë së Veriut beson në këto parime dhe me këtë rast, dua që publikisht të potencoj se si anëtare e plotfuqishme në NATO, do e vazhdojmë si edhe deri tani, me përkushtim dhe përgjegjësi realizimin e këtyre vlerave dhe parimeve themelore që na bashkojnë me të gjitha vendet anëtare të NATO-s” porositi Kryetari Xhaferi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg, uroi Republikën e Maqedonisë së Veriut për sukseset që i arriti në periudhën e kaluar në rrugën kah integrimet euroatlantike, për guximin dhe vendosmërinë për ta zgjidhur problemin me emrin, që e pengonte vendin tonë tepër gjatë. Ai vlerësoi se përfitimet për Republikën e Maqedonisë së Veriut prej anëtarësimit në NATO janë tani më të dukshme, investimet këtë vit janë rritur tre herë, ndërsa shteti ynë veç ka marrë pjesë në takimet e ministrave të Mbrojtjes dhe për Punë të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u mbajtën në shkurt dhe prill këtë viti.

“Aleanca jonë kujdeset për sigurinë e njerëzve, por edhe për respektimin e vlerave tona – lirisë, demokracisë dhe sundimit të të drejtës. Në vitin 1949, ministrat e Punëve të Jashtme të dymbëdhjetë vendeve e nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit. Së shpejti, kur procesi i aderimit tuaj do të përfundohet, me padurim do e mirëpres Maqedoninë e Veriut si anëtare të tridhjetë të Aleancës sonë. Dhe, ta shoh flamurin tuaj si valëvitet para selisë sonë në Bruksel, si edhe në misionet dhe operacionet tona anembanë botës,” porositi Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg.

Delegacionin e lartë të NATO-s e pritën edhe nënkryetarët e Kuvendit, Frosina Tashevska Remenski, Goran Misovski dhe Vesel Memedi, koordinatorët Jovan Mitreski, Ejup Alimi, Nikola Micevski dhe Elizabeta Kançeska Milevska, si edhe deputetë të më shumë partive parlamentare.

Delegacionin nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e përbënin edhe zëvendëskryetarja e Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes Radmila Shekerinska, zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për Çështje Evropiane Bujar Osmani, zëvendëskryetari i Qeverisë dhe Ministër i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, zëvendëskryetari i qeverisë i ngarkuar për Çështje Ekonomike Koço Angjushev, ministri i Punëve të Jashtme Nikola Dimitrov, ministrja e Drejtësisë Renata Deskovska, Minmistri i Financave Dragan Tevdovski, si edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu