Ballina Lajme nga Kosova Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende nën “kthetrat” e politikës

Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende nën “kthetrat” e politikës

3
0

Përkundër raporteve të shumta ndërkombëtare dhe vendore, përmes të cilave është bërë thirrje për pavarësi të sistemit të drejtësisë nga politika dhe grupe të interesit, ky sistem ende vazhdon të jetë nën kthetrat e politikës.

Kështu të paktën deklarojnë njohës të çështjeve të drejtësisë.

Megjithatë, krerë të sistemit të drejtësisë janë të bindur se ky sistem është totalisht i pavarur.

Skënder Çoçaj:  Nga ardhja ime në krye të KGJK-së askush nuk ka kërkuar favor nga unë

Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Skënder Çoçaj në një deklaratë të shkurtër për Arbresh.info, thotë se është i bindur në pavarësinë e gjyqësorit.

Çoçaj , i cili në shkurt të këtij viti u emërua në krye të KGJK-së, shprehet se që nga ardhja e tij në këtë pozitë askush deri tash nuk ka kërkuar ndonjë favor nga ai.

“Prej kur unë jam si kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, konsideroj se sistemi gjyqësor është i pavarur. Unë deri sot në asnjë moment nuk kam pas asnjë kontakt, ose askush nuk më ka kërkuar asgjë. Ne mundohemi me e mbrojt këtë pavarësi e cila është e garantuar me kushtetutë dhe me ligj”, ka thënë  Çoçaj.

Megjithatë, krejt ndryshe flasin ata të cilët monitorojnë punën e gjykatave dhe të prokurorive vendore.

Njohës të çështjeve të drejtësisë, thonë se përkundër raporteve dhe kritikave  të shumta ndërkombëtare dhe vendore, sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i politizuar.

Sipas tyre ky sistem nuk është në gjendje të përmbush mandatin kushtetues dhe ligjor.

IKD: Duhet të bëhet një proces vettingu për policinë, prokurorët dhe gjyqtarët

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se  sistemi i drejtësisë, përfshirë policinë, prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i nënshtrohet patjetër procesit të vettingut.

“Procesi i pastrimit që në popull njihet edhe si proces i vettingut sipas IKD-së duhet të zhvillohet  nën mbikëqyrjen dhe ndihmën e shteteve mike të Kosovës, si SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania. Vetëm përmes një procesi të tillë, policët, prokurorët dhe gjykatësit e lidhur me politikën dhe grupet e interesit do të pastroheshin nga sistemi i drejtësisë duke iu dhënë hapësire policëve, prokurorëve dhe gjykatësve me integritet që interes parësor kanë zbatimin e ligjit dhe zbatimin e politikave dhe urdhrave që vinë nga politika”, është shprehur Miftaraj për arbresh.info.

Raportet vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare, sipas Miftarajt në vazhdimësi potencojnë që së paku në aspektin formal me Kushtetutë dhe ligj, sistemi i drejtësisë është i pavarur, i paanshëm dhe duhet të zbatoj ligjin në mënyrë të drejtë dhe të pavarur për të gjithë qytetarët.

Sipas tij, përderisa në letër duket dhe tingëllon bukur dhe në pajtim me praktikat dhe standardet ndërkombëtare, praktika dhe realiteti fatkeqësisht është krejt tjetër.

Ai, thotë se IKD në vazhdimësi ka potencuar faktin se procesi i pastrimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë nga politika dhe grupet e interesit është i pa alternativë.

“Në shumë raporte të IKD-së por edhe raportet reprezentative si ai i Komisionit Evropian për Kosovën dhe ai i Departamentit të Shtetit përmendin faktin se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i politizuar dhe se i njëjti nuk është në gjendje të përmbush mandatin kushtetues dhe ligjor. Në një situatë të tillë, IKD në vazhdimësi ka potencuar faktin se procesi i pastrimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë nga politika dhe grupet e interesit është i pa alternative”, ka thënë Miftaraj.

“Çohu” : Ndikimin e politikës në drejtësisë e tregojnë dështimet e rasteve korruptive ndaj zyrtarëve publikë

Se sistemi i drejtësisë është i ndikuar nga politika, sipas  Genc Nimonit nga organizata “Çohu”, e tregojnë edhe dështimet në ndëshkimin e zyrtarëve publik, të cilët kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare.

Bazuar në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2018, i publikuar me 14 mars të vitit 2019,  sipas Nimonit,  Kosova vazhdon të ketë probleme të theksuara në zbatim të ligjit dhe në ndëshkim të zyrtarëve publik.

Raporti ndër të tjera, sipas tij,  përmend moszbatimin e ligjeve nga institucionet e drejtësisë si dhe mungesën e ndëshkimeve për zyrtarët e përfshirë në praktikat korruptive.

Në këtë raport sipas Nimonit theksohet mungesa e një gjyqësori efikas dhe dobësitë e përgjithshme të sundimit të ligjit, i kanë kontribuuar këtij problemi, pra Korrupsionit.

“Bazuar edhe në raportet ndërkombëtare, edhe në ato vendore, sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i ndikuar nga politika. Kjo është edhe njëra ndër arsyet se përse sistemi i drejtësisë, vazhdon të dështojë në ndëshkimin e zyrtarëve publik që kanë keqpërdorur pozitat e tyre gjatë ushtrimit të funksioneve publike”, shprehet Nimoni.

Ai, thotë se duhet të bëhet një vlerësim rreth integritetit dhe profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të pasur një sistem të drejtësisë  të pavarur.

“Në vazhdimësi ne jemi dëshmitarë të dështimit të prokurorëve për me i argumentu aktakuzat, rrjedhimisht dështim të aktakuzave dhe gjithashtu, dëshmitarë të aktgjykimeve liruese për profilet e larta. Duhet të kemi vlerësim të integritetit dhe profesionalitetit të gjykatësve dhe të prokurorëve”, ka thënë Nimoni.

Sipas tij, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), edhe pse kanë komisionet për vlerësimin e përformancës së prokurorëve dhe gjykatësve, kanë treguar mungesa të rezultateve.

Tutje Nimoni për arbresh.info thekson se mekanizmat e tillë kanë mungesë të një metodologjie të saktë vlerësim të gjykatësve dhe prokurorëve, përbërje jo të duhur të tyre si dhe në fund, mungesa e rezultateve dhe rekomandimeve konkrete të këtij komisioni, bazuar në rezultatet e vlerësimit të tyre.

Ai, shprehet se përderisa ka mungesë të llogaridhënies dhe ndikim të politikës, besimi në institucionet e drejtësisë do të vazhdojë të jetë në nivelet më të ulëta.

Ndryshe, deri tash shumica e proceseve gjyqësore në të cilat kanë qenë të përfshirë zyrtarë shtetëror, apo komunal kanë përfunduar me lirim apo dënim me kusht.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar ndalimin e udhëtimit në këto vende, për ata persona zyrtarë të cilët janë të përfshirë në aktakuza apo procese gjyqësore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu